Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 3 vite shërbim prove, Adrian Canin, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksion publike”.

Ardian Cani, mësues Fizkulturë në një shkollë 9-vjeçare në Peqin, u denoncua në media pasi shiste diploma false të shkollës së mesme, duke ndikuar edhe te të tjerët, me pagesa deri në 3 mijë euro.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK dhe dënoi fillimisht Canin me 2 vite dhe 3 muaj burgim, po për shkak të gjykimit të shkurtuar u zbrit në 1 vit dhe 6 muaj izolim dhe duke marrë parasysh rrethanat e tjera të masës së sigurisë së mëparshme dhe ato lehtësuese, ky dënim u konvertua në dënim me kusht me 3 vite shërbim prove.

“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Ardit Mustafaj, me vendimin Nr. 63, datë 25.10.2024 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Mustafa Cani, për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2(dy) vite e 3 (tre) muaj burgim.

Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Mustafa Cani, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

“Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë për të pandehurin Adrian Mustafa Cani, për një periudhë kohe prej 3 (tre) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe mos të kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij”.”- njofton GJKKO./ata