Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, zhvilloi në Uashington DC , SHBA, një takim me Federico Giammusso, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në fokus të takimit ishin zhvillimet më të fundit ekonomike në vend.

Guvernatori Sejko bëri një panoramë të zhvillimeve që kanë karakterizuar ecurinë  ekonomike në vend.

“Rritja ekonomike është në trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike parashikohet të forcohen në vijim. Ndërsa politika monetare ka qenë sa më fleksibël, në mbështetje të trendit pozitiv të zhvillimit të vendit, si dhe të harmonizimit me zhvillimet financiare dhe kahun e politikës fiskale”, u shpreh Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko po merr pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore që po zhvillohen në Uashington DC, SHBA.

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë, ku vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare në këto institucione ndërkombëtare financiare, mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore./ata