Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot në Kuvend se, “qendra sociale “Besa” në Barbullush, bashkia Vau i Dejës, është një qendër multifunksionale dhe ofron shërbim për 25 të moshuar rezident”.

 

Në përgjigje të interpelancës së thirrur nga deputeti i Partisë Demokratike të Shkodrës, Zef Hila, Manastirliu theksoi se, “pyetjet tuaja sot më japin mundësinë që të pasqyrojë më mirë punën dhe angazhimin e institucioneve duke informuar se qendra rezidenciale “Besa” në Barbullush në vashkinë e Vaut të Dejës ofron shërbim rezidencial, komunitar. Është një qendër multifunksionale ka një kapacitet për akomodimin dhe shërbimin ndaj 25 rezidentëve të moshuar, ajo ofron një seri shërbimesh, nga strehimi, ushqimi, këshillim, mbështetje sociale, shërbime shëndetësore dhe aktivitete sociale”.

 

“Kjo qendër ka një staf prej 18 punonjësish dhe struktura administrative e institucionit ka në përbërje të saj punonjësit kujdestar, psikologët, infermierët, kujdestarët dhe ekipin mbështetës”, tha Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu u shpreh se, nga raportet e kryera për kontrollin dhe menaxhimin e punës rezulton se ka një përmirësim në vazhdim të shërbimeve në këtë qendër.

 

“Konkretisht në këtë qendër janë realizuar 4 kontrolle inspektuese dhe në zbatim të rekomandimeve të kontrolleve përgjatë gjithë kësaj periudhe janë kryer inspektime nga Shërbimi Social shtetëror në datat 9 maj 2002, Inspektoriati i Punës dhe Shërbimeve në datë 16 maj 2022. Monitorime të kryera në datën 8 korrik 2022 dhe monitorimi i fundit, rezultatet e të cilit janë në 6 shkurt 2023, nga Shërbimi Social Shtetëror në qarkun Shkodër. Janë pyetur gjithashtu edhe përfituesit e shërbimeve të kësaj qendre. Në përfundim të gjithë inspektimeve të kryera, sigurisht duke qenë se janë të gjithë procese që synojnë përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen në vazhdimësi të standardeve, rezulton se shërbimet që ofrohen në këtë qendër janë përmirësuar në vazhdim në zbatim edhe të këtyre rekomandimeve të dhëna nga institucionet monitoruese”, tha Manastirliu.

 

Qendra “Besa” ka filluar veprimtarinë e saj në vitin 2015, si një qendër multifunksionale ku ofrohen shërbime të përkujdesit komunitar/ditor dhe rezidencial për të moshuar e licensuar për të dy këto shërbime në vitin 2015.

 

Nga shërbimet e kësaj qendre përfitojnë të moshuar që vuajnë pasojat e vetmisë, izolimit dhe vështirësive financiare, por që në momentet më të vështira kanë ndjerë dorën e shtetit dhe mbështetjen e tij.

 

Godina ku ofrohet shërbimi është dy katëshe dhe është në pronësi të bashkisë me një kapacitet për 25 përfitues, por që aktualisht marrin shërbime 20 të moshuar të vetmuar dhe të braktisur të moshës 60 deri në 90 vjeç. Qendra, e ngritur në fshatin Barbullush të Bashkisë Vau-Dejës, administrohet po nga kjo bashki.

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Zef Hila i drejtoi ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pyetje lidhur me disa problematika të evidentuara nga banorët e zonës për menaxhimin e Qendrës Sociale për të Moshuar “Besa”, në Barbullush, bashkia Vau Dejës./ATSH