Reida Kashta, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, foli sot për raportin që SIGMA bën çdo katër vjet për vendet e rajonit dhe Ballkanit Perëndimor.

E ftuar në episodin 7 të sezonit 3 të Podkastit FLASIM të kryeministrit Edi Rama, Kashta u shpreh se raporti i SIGMA-s “është një raportim, si një analizë e sistemeve të Administratës Publike dhe Prokurimit Publik, që i referohet më pas Bashkimit Europian. Kjo analizon pesë komponentë kryesorë, nga kuadri ligjor që është i pari dhe nënkupton gjithë trupën e legjislacionit që kemi në fushën e Prokurimit Publik, duke u bazuar në parimet bazë që ka Prokurimi Publik. Ky studim bëhet duke pasur në referencë direktivën e BE-së. Ne konsiderohemi në nivelet më të larta, krahasuar me Malin e Zi, por duhet të kujtojmë që Mali i Zi ka 10 vjet që ka hapur kapitullin 5. Në 2014 dhe jemi në 2024, pra janë ende në të njëjtën stad ku jemi ne tani, që e kemi arritur pa e hapur akoma këtë proces”.

Drejtoresha e Prokurimit Publik theksoi se një tjetër aspekt që ka vëmendje të madhe nga ana e BE-së është kuadri administrativ dhe institucional lidhur me prokurimin publik.

“Edhe këtu ne jemi në të njëjtën linjë me BE-në, ndësa krahasuar me disa vende të rajonit jemi edhe më mirë. Kemi një agjenci prokurimi që bën politikat, monitorimin e sitemit dhe një komision të pavarur që bën shqyrtimin e ankesave. Matet sistemi i performancës në tërësi në procesin e prokurimit, të dhënat mbi konkurrueshmërinë, transparencën dhe eficiencën e procesit dhe këtu krahasur me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor jemi vlerësuar më lart. Vlerësimi i vitit 2021 e ka renditur Shqipërinë më lart se shumë vende të tjera të Bashkimit Europian në fushën e Prokurimit Publik”, theksoi ajo.

Drejtuesja e kësaj agjencie solli në vëmendje një nga periudhat më të vështira nga ana profesionale për të dhe skuadrën që ajo drejton, e që lidhet pikërisht me momentin e screening për Shqipërinë përpara dy viteve.

“Ajo që vlen të theksohet është se kur bëmë ushtrimin e screening në vitin 2022, presioni që skuadra ka ndjerë në Bruksel, më ka bërë të kuptoj që ka qenë një nga ditët më të vështira të miat. Ne pyeteshim nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës dhe ku drejtuesit në fund na thonin që Shqipëria mund të jetë model shumë i mirë në pjesën e prokurimeve edhe për shumë shtete të tjera të Bashkimit Europian”./ata