Drejtuesi politik i qarkut Berat, Bledi Çuçi ka zhvilluar sot një takim me banorë të Skraparit së bashku me kandidatin e PS pë bashkinë e Skraparit, Adriatik Mema.

 

Ai tha se, “jemi në bastionin më të rëndësishëm të të majtës shqiptare dhe pa diskutim çdo socialist që vjen në Skrapar ndjehet në shtëpinë e tij. Ky është një konfirmim dhe mbështetje për PS dhe Adriatikun, i cili ka bërë shumë në 4 vite për Skraparin. Duke menduar që në 4 vite kishim tre kriza që nuk varen fare nga qeveria ne prapë kemi arritur të demostrojmë dhe t’i themi shqiptarëve që ne jemi të vetmit që mund të vazhdojmë përpara dhe të vetmit që mund ta çojmë Shqipërinë aty ku duhet”.

 

Çuçi theksoi se, “nuk ka krahasim kandidati ynë, kryetari juaj i tanishëm dhe i ardhshëm me asnjë kandidat që do të sillte këtu opozita. Ju ftoj që në 14 maj ta quajmë mision qoftë për Adriatik Memën, qoftë për PS për t’i thënë përfundimisht jo së shkuarës dhe tranzicionit të lodhshëm të këtyre personazheve që në mënyrë ciklike e  kanë marr peng qoftë Shqipërinë, qoftë Skraparin për interesat e tyre personale”.