Partia Socialiste ka ndezur motorët drejt prezantimit të një vizioni të ri, për të gjitha qarqet dhe bashkitë në rang vendi, pas çeljes së grup-kapitujve të parë, “Themeloret” me Bashkimin Europian. Në takimin ku ishin të pranishëm, kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, deputetja e këtij qarku Evis Kushi dhe drejtuesi politik i PS-së, Arbjan Mazniku u “shtruan” disa ura idesh dhe projektesh për atë që e pret këtë qytet në të ardhmen.

Drejtuesi politik i PS-së për Elbasanin, njëherësh ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se “ky është vetëm hapi i parë i fillimit të këtij diskutimi që do të  zgjasë dy muaj. Ne do të diskutojmë një proces dhe një vizion të përbashkët për planin e zhvillimit të Elbasanit. Duhet të ndalojmë dhe të bëjmë një plan për të ardhmen tonë të përbashkët. Pjesa më e rëndësishme është momenti kur njerëzit bashkërendojnë forcat dhe idetë për një vizion për të ardhmen ku duhet të shkojë vendi ynë”.

“Përveç “Planit të rritjes”, ne synojmë që të hapim të gjithë kapitujt deri në fundin e vitit që vjen. Europa nuk është larg, por mbetet një destinacion i mirëfilltë ku mund të mbërrijmë. Në muajt në vijim synojmë 32 takime, 18 në tre prej bashkive të qarkut dhe 14 të tjera me gjithë grupet e interesit, nga arsimi, biznesi, rinia etj. Të sigurojmë një histori suksesi dhe zhvillimi që të jetë një ndryshim epokal, jo vetëm në rang vendi, por që të na shtyjë para edhe drejt integrimit”, përfundoi Mazniku.

Qytetari i parë i Elbasanit u shpreh se fokusi është tek ekonomia e qëndrueshme, biznesi dhe rinia.

“Projektet tona kanë në thelb qytetarin, të bazuar në disa shtylla kryesore, nga ekonomia e qëndrueshme, ku fokusi mbetet biznesi, ai i vogël dhe i mesëm, investimi te rinia, te infrastruktura shkollore dhe studimore. Ne do të kemi një program të qartë që ka nisur të implementohet, por jemi në një fazë tjetër implementimi pak muaj më pas me ide të qarta dhe fokus në sferat më të rëndësishme të zhvillimit të vendit. Le ta bëjmë Elbasanin një vend më të mirë për Shqipërinë dhe qytetarët”, tha në fjalën e tij kreu i kësaj bashkie, Gledian Llatja.

Deputetja e Elbasanit, Evis Kushi e vuri theksin tek angazhimi i përbashkët i të gjithë aktorëve, shoqërorë dhe politikë, për të çuar përpara vendin drejt integrimit europian, ku një shtysë të madhe financiare do të japë edhe “Plani i rritjes” dhe fondi prej 920 milionë eurosh që përfiton Shqipëria pas çeljes së grup-kapitujve të parë me BE-në.

“Jemi në një moment të rëndësishëm për Elbasanit dhe gjithë Shqipërinë. Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e BE-së, për të çelur zyrtarisht negociatat për grup-kapitujt e parë “Themeloret”, ndërsa objektivi ynë është që të anëtarësohemi me të drejta të plota brenda një kohe të shkurtër. Shqipëria përfiton mundësi të reja financiare, gati 920 milionë euro. Ky është një rrugëtim dhe një proces që na detyron të punojmë shumë dhe të angazhohemi maksimalisht, jo thjesht për të përmbushur kriteret që janë të detyrueshme, por që të rrisim standardet në Shqipëri”, u shpreh Kushi./ata