Të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë së informacionit prej 8 ditësh po aplikojnë për të ndjekur programin e kodimit, një nismë e re e qeverisë shqiptare.

 

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se deri tani kanë aplikuar rreth 1000 aplikantë.

 

Rama i ftoi të gjithë ata që dëshirojnë të aftësohen për punë të mirëpaguara, në tregun e brendshëm apo të jashtëm pa lëvizur nga shtëpia të aplikojnë në këtë program.

 

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në videon e publikuar nga Kryeministri Rama theksoi se “programi i kodimit i cili është hapur 8 ditë më parë numëron deri tani 939 aplikime”.

 

Për t’u bërë pjesë e këtij programi aplikimet vijojnë në e-Albania, ku të rinjtë mund të aplikojnë për kursin e formimit profesional me mbështetje financiare.

 

“Programi i kodimit është nisma më e re e qeverisë shqiptare që ofron mbështetje financiare për çdokënd që dëshiron të zhvillojë aftësitë në fushën e teknologjisë së informacionit”, tha Muzhaqi.

 

Muzhaqi u shpreh se “me këtë program ju mund të bëheni pjesë e kurseve profesionale në fushën e teknologjisë dhe informacionit për kohë të pjesshme apo të plotë për periudha nga 3-12 muaj ku mbas përfundimit të kursit mund të integroheni në fushën e teknologjisë”.

 

Programi i kodimit përveç subvencionimit do të ofrojë dhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve e tregut të punës si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.

 

Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100%./ATSH