Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur sot kontrollet dhe verifikimet në të gjitha shkollat e kryeqytetit, pas publikimit të një lajmi në medie, ku pretendohen raste të përdorimit të një çamçakëzi që përgjum fëmijët.

“Në lidhje me një lajm të publikuar ditën e sotme, në disa medie dhe portale, në të cilin thuhet se në një shkollë në Tiranë, është evidentuar rasti i përdorimit të një çamçakëzi që përgjum fëmijët, ju informojmë se shërbimet e Policisë menjëherë pas publikimit kanë marrë kontakte me drejtuesit dhe stafet pedagogjike të të gjitha shkollave të Tiranës, dhe po ushtrojnë kontrolle për verifikimin e rastit në fjalë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u bën po ashtu thirrje të gjithë qytetarëve të njoftojnë menjëherë Policinë në rast konstatimi të këtyre substancave.

Vijon puna për sqarimin e rrethanave të këtij rasti të publikuar.

Rasti në fjalë u bë publik nga një mësuese e cila kishte konstatuar përgjumjen e nxënësve, pas përdorimit të këtij çamçakëzi, duke kërkuar kështu hetime të mëtejshme nga Policia e Shtetit./ata