Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përsëriti sot se arrestimi i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta me urdhër të SPAK, është politik.

Në një deklaratë për mediet, Sali Berisha në arrest shtëpie prej dhjetorit të kaluar, garantoi se nuk do të mbronte një akt korruptiv nga cilido që të ishte. Por, u shpreh ai, “kurrë nuk pranoj dot akuza politike ndaj cilitdo qofshin ato”.

“Hynë në marrëveshje me një biznesmen për një vilë për t’i kaluar një ligj në parlament dhe më vonë hoqën dorë nga kjo vilë dhe ligjin ia kaluan. Ilir Meta dhe Kryemadhi kishin gjithsej 20 deputetë, një ligj nuk mund të kalojë kurrë përveçse për tutkunë, apo për Dumdumanin dhe grupin e tij kriminal në SPAK”, u shpreh Berisha.

“Me këtë akt ata kanë fyer çdo shqiptar, kanë përdhosur Kushtetutë, parlament dhe çdo gjë tjetër. Një njeri me 20 deputetë nuk mund të kalojë kurrë një ligj në parlament, ligjin e kalon ai që ka shumicën në parlament”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se opozita nuk do të heqë  dorë nga mosbindja civile gjer ditën që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë.

“Plani B i Sali Berishës dhe plani A është mosbindja civile, qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira”, tha Berisha./ata