Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim konstruktiv në Vjenë, Austri, me ambasadoren Alena Kupchyna, drejtuese e departamentit Kundër Kërcënimeve Transnacionale në OSBE.

Siç njofton përmes rrjeteve sociale numri dy i Ministrisë së Brendshme, në takim u diskutua mbi projektet e përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar, rikuperimin e aseteve, krimet kibernetike, si dhe programe të dedikuara për fuqizimin e të rinjve.

Ky bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe OSBE-së synon rritjen e sigurisë dhe forcimin e kapaciteteve përballë kërcënimeve transnacionale, duke krijuar një mjedis më të sigurt për qytetarët shqiptarë dhe për të rinjtë në veçanti./ata