Qarku i Korçës identifikohet tashmë si një prej prodhuesve kryesorë të mollës në vend.

Për të promovuar traditën shumëvjeçare të rajonit të Korçës në prodhimin e mollëve, në fshatin Dvoran, u organizua “Festa e mollës”.

Kjo festë e kthyer në traditë prej disa vitesh, ka zënë vend në fshatin Dvoran të Korçës, aty ku fermerët kanë prezantuar varietete të ndryshme të mollëve, teksa promovimi i këtij produkti përmes festave lokale po i shërben rritjes së interesit turistik.

I pranishëm në këtë event, kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, tha se, “kjo festë i shërben krijimit të një atmosfere në zonën ku organizohet dhe me perspektivë mund të jenë pjesë e paketave turistike”.

Ndërsa Vullnet Gjolla, drejtori i Bujqësisë në këtë rajon u shpreh se, këtë vit prodhimi i mollës në rajonin e Korçës, shënon tregues në rritje dhe mjaft cilësor, çka jep shpresë edhe për fitime më të larta për fermerët.

Molla e Korçës, tashmë ka krijuar markë unike sa i takon cilësisë dhe shijes ndaj dhe fermerët prodhues të kësaj kulture, synojnë zgjerimin e tregjeve të shitjes.

Në qarkun e Korçës janë 3600 ha të mbjella me mollë, ndërsa sivjet janë prodhuar rreth 80 mijë tonë mollë.

Eventi bëri bashkë vizitorë e familjarë të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes festuan nën tingujt e muzikës, kërcimit dhe degustimit të ushqimeve tradicionale të zonës./ata