Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe drejtuesi politik i socialistëve në qarkun Vlorë, Bledi Çuçi, bashkë me kryetarin e bashkisë së Konispolit Ergest Dulen, ishin sot bashkë në inspektimin e punimeve për rehabilitimin e sheshit qendror të fshatit Mursi në Sarandë.

“Me Bledi Çuçin dhe Ergest Dulen inspektuam punimet për rehabilitimin e sheshit qendror të fshatit Mursi dhe rrugës hyrëse, në kuadër të programit “100 Fshatrat”. Ky projekt sjell një ndryshim të ndjeshëm në jetën e banorëve dhe rrit potencialin për zhvillimin e turizmit”, thuhet në postimin në rrjete të ministres Denaj.

Programi i “100 Fshatrave” është një program energjizimi i të gjitha atyre pikave dhe komponentëve që e bëjnë të veçantë fshatin shqiptar.

“Ky nuk është një program i ndërtimit të rrugëve rurale, por është një program energjizimi i të gjitha atyre pikave dhe komponentëve që e bëjnë të veçantë fshatin shqiptar dhe që përkthejnë ambicien tonë për të pasur një zhvillim turistik të në Shqipërinë rurale në destinacione konkrete të eksplorimit në shumë dimensione të organizmit shumë të pasur të Shqipërisë”, është shprehur Rama më herët./ata