Shqipëria realizoi në vitin 2023 një proces zgjedhor, paralelisht me Censin e Popullsisë dhe Banesave. Emisioni “DATAROOM” në SCAN përmes përpunimit të shifrave ka nxjerrë përqindjen reale të pjesëmarrjes së shqiptarëve në votime.

Referuar Censit, rezulton se popullsia banuese në Shqipëri është 2.4 milionë. Ndërkohë, nga këta 2.4 milionë banorë, 1.9 milionë prej tyre janë në moshën 18 vjeç e lart.

Ndërkohë, në listat e votuesve janë regjistruar 3.6 milionë votues. Kjo do të thotë se në lista ishin të regjistruar me të drejtë vote, 1.7 milionë votues më shumë. Kjo ka bërë që përqindja e deklaruar të jetë larg përqindjes reale të atyre që banojnë në Shqipëri dhe që dalin në votime. Në vitin 2023, KQZ deklaroi si shifër zyrtare të pjesëmarrjes në votime nivelin 34.7 %.

Por cila është përqindja reale e atyre që banojnë në Shqipëri e që njëkohësisht kanë dalë në votime në vitin 2023?

Praktikisht në vitin 2023, nga 1.9 milionë votues që kishte Shqipëria, 1.4 dolën në votime. Bazuar në këto përllogaritje që kryqëzojnë të dhënat e Censit 2023 me ato të KQZ, përqindja e pjesëmarrjes në votime është më shumë se 73 %.

Në këtë përllogaritje, nuk janë marrë parasysh, për efekt se nuk mund të maten, hyrjet e emigrantëve që kanë ardhur enkas për votimin, dhe as daljet e punonjësve sezonalë që mund të mos kenë qenë prezent  në Shqipëri në ditën e votimit.

 

 

 

Sa do të kushtojë votimi i emigrantëve?

Shqipëria është ndër vendet e vetme të rajonit që ende nuk ka aplikuar votën e emigrantëve. Modeli i zgjedhur është ai i votimit me postë. Refreuar deklarimeve të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, kostoja për 1 votë do të variojë nga 10-40 euro, në varësi të shërbimit postar.

Por sa përcaktuese mund të jetë vota e Diasporës në rezultat?

Shembujt e vendeve të tjera që e aplikojnë votën e emigrantëve tregojnë se zakonisht rreth 10 % e emigrantëve e ushtrojnë të drejtën e votës. Ndërkohë, vota e tyre, zë një peshë që varion nga 1-5 % të votave totale të vendit. Në disa raste, kjo votë mund të jetë përcaktuese.

Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT (2023), diaspora shqiptare llogaritet se 1.4-1.5 milionë. 

Çfarë mund të sjellë tjetër CENSI 2023 për zgjedhjet e 2023?

Një element i rëndësishëm do të jetë edhe rishpërndarja e mandateve të deputetëve. Mandatet ndahen duke u bazuar në disa kritere si popullsia dhe numri I zgjedhësve që ka rajoni përkatës. Për zgjedhjet parlamentare Shqipëria ka 140 mandate deputetësh të shpërndarë në  12 zona elektorale.

Censi 2023 tregoi ndër të tjera është lëvizje të brendshme demografike, ku Tirana dhe Durrësi kanë një përqendrim më të lartë të popullsisë. Këto qarqe pritet që të njohin një shtim të numrit të mandateve.

Ndërkohë pritshmëritë janë që qarqe si Fieri apo Elbasani te kenë pakësim të tyre. Nëse do të merrej për bazë panorama demografike e Censit 2023, janë 15 mandate deputetësh që do të duhet të rishpërndahen në mbarë vendin. Gjithsesi, të dhënat zyrtare të rishpërndarjes do të llogariten dhe miratohen nbga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Scan