Ushtria iraniane ka bërë të ditur se dy ushtarë të saj janë vrarë në sulmin izraelit gjatë natës së kaluar.

Ushtria iraniane tha se ushtarët e saj humbën jetën “duke mbrojtur sigurinë e Iranit dhe duke parandaluar dëmtimin e popullit dhe interesave iraniane, në përgjigje të predhave të lëshuara nga regjimi kriminal sionist”.

Megjithatë, ushtria nuk specifikoi lokacionin e sulmit apo shkallën e dëmit, duke shtuar se më shumë detaje do të lëshohen së shpejti.

Burimet e sigurisë raportuan se sulmi filloi rreth orës 2:30 të mëngjesit me orën lokale, me banorët në Teheran që dëgjuan zhurma të fuqishme nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Sipas forcave të mbrojtjes ajrore të Iranit, sulmet izraelite kishin vënë në shënjestër disa vende në kryeqytetin Teheran, si dhe në provincat Khuzestan dhe Ilam. Sipas tyre, mbrojtja ajrore pengoi me sukses sulmet.

Megjithatë, mediat lokale raportuan “dëme të kufizuara” në disa lokacione, me hetimet në vazhdim.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se operacioni kishte në shënjestër objektet e prodhimit të raketave të Iranit, sistemet e raketave tokësore-ajrore, si dhe infrastrukturën tjetër të mbrojtjes ajrore.

Sulmi izraelit gjatë natës, një sulm i rrallë i drejtpërdrejt ndaj objekteve ushtarake iraniane, pason sulmet me raketa të 1 tetorit nga Irani ndaj objektivave në Tel Aviv, të cilat ishin në hakmarrje për vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe komandantit të Gardës Revolucionare Islamike, Abbas Nilforoushan.

Irani më herët paralajmëroi se çdo sulm nga Izraeli do të shkaktonte një "përgjigje më të ashpër".

Sipas ekspertëve, sulmi duket se do të përshkallëzojë më tej tensionet midis dy palëve./aa