Mijëra jemenas morën pjesë të premten në një tubim masiv në Sana të mbajtur nga grupi Houthi në mbështetje të popullit palestinez në Gaza që po përballet me një sulm shkatërrues izraelit që nga 7 tetori.

Zëdhënësi ushtarak i grupit Houthi, Yahya Saree, tha se populli jemenas vazhdon mbështetjen e tij për “popullin e palëkundur palestinez në Gaza”, duke u mbledhur në një tubim masiv në sheshin Al-Sabeen në Sana.

Tubimi u thirr nga grupi Houthi me moton “Në mbështetje të Gazës, goditjet tona të intensifikohen”, në lidhje me përshkallëzimin e sulmeve të grupit në Detin e Kuq kundër anijeve të lidhura me Izraelin dhe anijeve ushtarake SHBA-Britani.

Në tubimin në Sana, demonstruesit jemenas valëvitën flamuj palestinezë dhe brohoritën kundër luftës izraelite në Gaza.

Tensionet janë përshkallëzuar në Detin e Kuq mes sulmeve të Houthive ndaj anijeve tregtare të dyshuara se kanë lidhje me Izraelin.

Houthit thonë se sulmet e tyre synojnë të bëjnë presion ndaj Izraelit për të ndalur sulmin e tij vdekjeprurës në Rripin e Gazës, i cili ka vrarë më shumë se 30.900 njerëz dhe plagosur mbi 72.500 të tjerë që nga një ofensivë ndërkufitare e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.

SHBA-ja dhe Britania nisën sulme ajrore që nga 12 janari kundër objektivave të Houthive në Jemen si hakmarrje për sulmet e tyre, të cilat kanë krijuar frikën e një periudhe të re inflacioni dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit./aa