Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh kryeministri Edi Rama, në takimin me komunitetin shqiptar në Nju-Jork, foli edhe për mundësitë për investimet në vendin tonë të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Sa i përket investimeve, tha Rama, “brenda pak javësh besoj ne do të publikojmë një program të ri për të gjitha zonat malore, pikërisht për emigrantët që vijnë nga ato zona, një program që quhet “Paketa e Maleve” dhe që do t’i japë të gjithë atyre që janë në emigracion dhe duan të investojnë kursimet e tyre në vendlindje për agroturizëm, për agropërpunim, për çfarëdo qoftë, një mundësi të re me shumë avantazhe të natyrës së taksave, të natyrës së detyrimeve dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria”.

“Kështu që, ajo që unë i them të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë ose në Evropë, që kanë punën e tyre këtu, që kanë familjen e tyre këtu, që kanë vendosur të rrijnë këtu, nuk është kthehuni përgjithmonë, por është: Po të investoni kursimet tuaja në Shqipëri tek shtëpia e gjyshit, për ta kthyer atë në një agroturizëm, apo për të bërë agropërpunim, në fund të muajit do të fitoni më shumë nga shtëpia e gjyshit sesa nga ai që ju jep punë këtu dhe që ju paguan me një rrogë. Kështu flasin shifrat e të gjithë atyre që kanë filluar ta bëjnë këtë gjë”, tha Rama.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që janë kthyer nga emigracioni për të investuar në Theth dhe sot janë konkrete rastet e atyre që janë kthyer, kanë investuar në Theth për hoteleri dhe turizëm dhe iu çojnë lekë ekstra motrave, vëllezërve që i kanë në Itali, e që i kanë në Greqi, sepse në Itali dhe në Greqi, në Amerikë mund të jetë ndryshe dhe është ndryshe, nuk del më llogaria siç dilte deri ca vite më përpara”, u shpreh Rama.

“Kështu që me shumë bindje ju them: Kush e ka një tokë të trashëguar, sidomos në veriun e Shqipërisë bën investim të madh për vete dhe për fëmijët nëse kursimet i vendos atje”, tha Rama.

Për sa i përket titujve të pronësisë, Rama u shpreh se, “të gjithë ata që do të vijnë për të investuar në këtë mënyrë do të kenë mbështetjen tonë të menjëhershme edhe për të marrë direkt titullin e marrjes së tokës në përdorim dhe për ta gëzuar atë pastaj për gjithë jetën”./ata