Shqipëria shumë shpejt do të ketë fluturime direkte me SHBA-në. Kështu bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me shqiptarët në Nju-Jork.

Pa dhënë një datë konkrete, kreu i qeverisë tha se aktualisht aeroporti i Tiranës po negocion me kompaninë amerikane “Delta” për fluturime direkte.

“Aktualisht aeroporti po negocion me kompaninë amerikane “Delta” për të filluar fluturimet direkte nga Amerika në Shqipëri. Nuk e di se kur do të përfundojë kjo negociatë, ndërkohë që ne bëhemi gati të hapim edhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, i cili do të jetë aeroporti me pistën më të gjatë në rajon, është bërë e tillë edhe për fluturimet transoqeanike”, vijoi ai.

“Po diskutojmë me ‘Air Albania’ për të mundësuar një fluturim të drejtpërdrejtë. Dhe natyrisht fluturimin e parë, kur do të ndodhë nuk ua them dot se po e thamë dhe nuk e mbajtëm bëhet problem, do ta bëjmë patjetër këtu në Nju-Jork. E sigurt është që koha e gjatë që ju keni pritur për të pasur një fluturim të drejtpërdrejtë me Shqipërinë nuk do të jetë aq e gjatë dhe besoj se në një kohë të arsyeshme ne do ta realizojmë, do ta japim këtë lajm dhe do ta sjellim avionin këtu”, tha Rama.

“Ajo që më jep kënaqësi është se pse kompania ‘Delta’ ka shprehur interes është se edhe turoperatorët në Amerikë kanë kërkesa të rritura nga qytetarët amerikanë për të vizituar Shqipërinë me fluturime direkte”, u shpreh kryeministri Rama./ata