Nga një vëzhgim i çmimeve të shitjes në supermarket në Prishtinë dhe Tiranë për produktet e qumështit dhe kosit për disa nga markat kryesore të Kosovës dhe Shqipërisë, siç mund të shikohen edhe nga fotot rezultojnë si më poshtë:

Në Tiranë:

Qumësht lope Erzeni 1 L - 190 lekë ose 1.94 euro.
Qumësht lope Gjirofarma 1 L - 209 lekë ose 2.13 euro.
Qumësht lope Ambla 1 L - 220 lekë ose 2.24 euro
.Qumësht lope Zepa 1 L - 195 lekë ose 1.99 euro.
Kos lope Lufra Tradita në shishe plastike 1 L - 195 lekë ose 1.99 euro/kg.
Kos lope Gjirofarma ne shishe plastike 910 gr - 199 lekë ose 2.23 euro/kg.
Kos lope Zepa në gotë plastike 950 gr - 229 lekë ose 2.46 euro kg.
Kos lope Natyral në shishe plastike 0.9 kg - 239 lekë ose 2.71 euro/ kg.
Kos lope Gjirofarma në vazo qelqi 970 gr - 289 lekë ose 3.04 euro/kg.
Kos lope Zyfi në vazo qelqi 1kg - 299 lekë ose 3.05 euro.

Në Prishtinë:

Qumësht lope Drena 1 L - 1.09 euro.
Qumësht lope Vita 1 L - 1.15 euro.
Qumësht lope Tamël 1 L - 0.99 euro.
Qumësht lope Dukat 1 L - 1.09 euro.
Kos lope Sharri natyral në gotë plastike 1.9 kg - 2.39 euro ose 1.26 euro/kg.
Kos lope Bylmeti Extra në gotë plastike 1.4 kg - 1.85 euro ose 1.32 euro/kg.

Bazuar në çmimet e mësipërme rezulton që çmimi mesatar i qumështit të lopës të paketuar në kuti kartoni "Tetra pack":

Në Tiranë është 2.07 euro për 1 litër.

Në Prishtinë është 1.08 euro për 1 litër.

Ndërsa çmimi mesatar i kosit:

Në Tiranë është 2.58 euro për 1 kg.

Në Prishtinë është 1.29 euro për 1 kg.

Pra siç tregohet më sipër, nga krahasimi i çmimeve rezulton që çmimi i qumështit dhe kosit që janë ushqime bazë të konsumit të përditshëm për çdo familje, në Shqipëri është rreth 2 herë më i lartë sesa në Kosovë.

Çmimet e produkteve të bylmetit në Shqipëri, dy herë më të larta sesa në Kosovë dhe shumë më të larta sesa çmimet e këtyre produkteve në të gjitha vëndet e rajonit të Ballkanit dhe në vëndet e BE, mund të shpjegohen me situatën shumë të rëndë që po kalon sektori i blektorisë në Shqipëri gjatë viteve të fundit kur numri i lopëve dhe bagëtive ka rënë në mënyrë katastrofike, duke pakësuar sasinë e qumështit të prodhuar, por njëkohësisht mund të shpjegohet edhe me kostot shumë të larta të prodhimit, si edhe mungesën e mbështetjes së nevojshme financiare nga ana e qeverise, siç ndodh në Kosovë dhe në të gjitha vëndet e tjera.

Bazuar në të dhënat zyrtare të INSTAT, në vitin 2013 Shqipëria kishte 498 mijë krerë gjedhë, nga të cilët 356 mijë lopë qumështi, ndërsa në vitin 2023 kishte 263 mijë krerë gjedhë, nga të cilët 232 mijë lopë.

Nëse nuk ndërhyhet në mënyrë të menjëhershme nga ana e qeverisë së Shqipërisë për të mbështetur me programe financiare konkrete blektorinë dhe bujqësinë, por edhe për të kontrolluar cilësinë e produkteve të bylmetit që tregtohen në tregun e vëndit, do të vazhdojë ulja e shpejtë e prodhimit të qumështit dhe rritja e çmimeve të produkteve vëndase, çka do të sjellë detyrimisht edhe mbylljen e shumë punishteve apo fabrikave të vogla dhe të mesme që punojnë kryesisht me qumështin e grumbulluar nga fermerët shqiptarë.

Ndërkohë që fabrikat e mëdha të përpunimit dhe paketimit të qumështit dhe produkteve të tjera të bylmetit, do të rritin importin e qumështit natyral apo qumështit pluhur nga vëndet e tjera të rajonit apo vëndet e BE.

Gjithashtu kompanitë tregtare dhe rrjetet e mëdha të supermarketeve do të rritin importin e qumeshtit dhe kosit të paketuar nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Sllovenia, Kroacia, Italia dhe vëndet e tjera ku çmimi i këtyre produkteve është mjaft më i ulët krahasuar me Shqipërinë.

/Shqiptarja