Pas disa viteve sfiduese 2019-2022, viti 2023 ka shënoi përmirësime të treguesve të borxhit publik.

Borxhi publik shënoi rënie me 7.7 pikë përqindje brenda vitit 2023, duke arritur në 59.2 %, duke shënuar kështu dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë.

Ministri i Financave, Ervin Mete, në takimin e konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahet sot për herë të parë në Tiranë, tha se sipas vlerësimeve më të fundit Shqipëria është ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon.

“Borxhi publik jo vetëm zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon”, tha Mete.

Niveli i lartë i borxhit publik ka qenë një ndër dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, duke reduktuar aftësinë në përballimin e goditjeve dhe duke diktuar kosto më të larta financimi për sektorin privat./ata