Një punonjës i Njësisë Operacionale i shpallur në kërkim është vënë në pranga ditën e sotme, pasi së bashku edhe me 21 policë të tjerë, gjobiten makinat me targa të huaja në Rrugën e Kombit dhe lekët i morën për vete.

Sipas AMP, në pranga është vënë Bekim Sulaj, me detyrë trupë shërbimi në Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autorstradave, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

Punonjësi Bekim Sulaj, është i fundit që është arrestuar nga punonjësit e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim një muaj më parë në kuadër të operacionit të koduar “Targa e huaj” ku u dokumentuan rastet e përvetësimit në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga ana e punonjësve të qarkullimit rrugor.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës - Dibër) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest me burg” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit Bekim Sulaj., me detyrë trupë shërbimi në Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autorstradave, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, njoftoi AMP.

Prokuroria e Kukësit lëshoi 22 masa sigurie më 19 shtator, për punonjës të Policisë së Shtetit në nivele të ndryshme, pasi përvetësuar lekët e gjobave rrugore. Konkretisht gjykata caktoi masën arrest me burg për 6 efektivë policie, për 4 arrest shtëpie dhe 12 të tjerë detyrim paraqitje. Sipas hetimeve ka rezultuar se në total janë vjedhur 2.2 milionë lekë të reja. /Shqiptarja