Palestinezët në jug të Rripit të Gazës nën bllokadë dhe sulme izraelite, detyrohen të presin në radhë për orë të gjata për të gjetur miell dhe bukë.

Izraeli në kuadër të planit të tij për të detyruar palestinezët të emigrojnë, provon çdo mënyrë të mundshme, përfshirë lënien e njerëzve në uri dhe pa ujë me sulme intensive tokësore dhe ajrore dhe një bllokadë të rreptë që zbaton ndaj rajonit. Duke shënjestruar qëllimisht automjetet dhe ekipet e ndihmës së parë dhe Mbrojtjes Civile, Izraeli i detyron palestinezët të bëjnë zgjedhjen "të vdesin ose të largohen".

Abdurrahman Hadura, i cili u detyrua të migronte nga kampi i refugjatëve Jabalia në Khan Yunus, në një deklaratë për AA tha: "Ne qëndrojmë në radhë për orë të tëra për të blerë bukë të mjaftueshme për familjen tonë për një ditë. Ndonjëherë nuk mund të blejmë as një copë bukë. Situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë".

Ai tha se se ka krizë serioze në aksesin e miellit dhe ushqimeve bazë në pjesët jugore dhe qendrore të Rripit të Gazës. "Kjo krizë ndikon në jetën e njerëzve të zhvendosur tashmë të lodhur dhe do të shkaktojë përkeqësimin e mëtejshëm të kushteve dhe shfaqjes së urisë në jug të Gazës", thekson Hadura.

Hadura uroi përfundimin sa më parë të gjenocidit të Izraelit dhe heqjen e bllokadës.

- E vetmja furrë buke që funksionon përballet me rrezikun e mbylljes në çdo moment

Ahmed al-Benna, një furrtar në Khan Younis tha se ata po bëjnë çmos për të siguruar bukë për njerëzit në rajon dhe për të lehtësuar krizën ushqimore.

"Në jug të Rripit të Gazës funksionon vetëm furra jonë për shkak se Organizata Botërore e Ushqimit (OBSH) nuk mund të sigurojë hyrjen e sasisë së mjaftueshme të miellit për të vënë në funksion një numër të madh furrash buke", tha Al-Benna duke shtuar se furra e tij përballet me kërcënimin e mbylljes në çdo moment nëse mbaron sasia aktuale e miellit.

Sipas tij, produktet ushqimore mbërrijnë në rajon shumë vonë dhe prishen gjatë rrugës për shkak se hyrjet në Rripin e Gazës janë vazhdimisht të mbyllura dhe kamionët mbahen në pritje. "Shumica e miellit dhe produkteve të tjera ushqimore që marrim janë të pashëndetshme sepse mbahen nën diell dhe nxehtësi për një kohë të gjatë", tha ai.

 

- Populli detyrohet të përdorë miell të prishur

Njerëzit e zhvendosur në pjesët qendrore dhe jugore të Gazës janë të detyruar të përdorin miell me insekte dhe krimba për të ushqyer fëmijët e tyre, për arsye se Izraeli përfshirë miellin pengon hyrjen e ushqimeve në rajon.

Ndërsa Um Samir Ahmed nga Gaza tha se "Mielli i shitur është i cilësisë së dobët dhe i mbushur me insekte dhe krimba. Sërish ne jemi të detyruar ta blejmë atë për të eliminuar urinë e fëmijëve tanë".

Duke thënë se mielli i prishur ka shije të keqe, Ahmed tha se bukët që bën nga ky miell i brumos duke e përzier me një lloj erëze të quajtur 'zahtar', në mënyrë që fëmijët ta hanë më lehtë./aa