Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, pensioni minimal është një pension social që e ka vendosur qeveria socialiste me reformën e 2014-ës.
Në një takim me pensionistët e Fierit për të ndarë me ta pikëpamje për skemën e pensioneve, Rama u shpreh se, “pensioni minimal është një pension social që e kemi vënë ne me reformën e 2014-ës. Nga 1990 deri në 2014-ën ka pasur një numër të konsiderueshëm që s’kanë marrë asnjë lek pension, zero. Me 70 mijë lekë pension nuk jetohet, mbijetohet. Po me asnjë lek pension, si jetohet? S’ka sesi të jetohet dhe as të mbijetohet”.
Rama theksoi se, në atë kohë u vendos që asnjë pensionist të mos ishte pa një pension.
“Atëherë duhet bërë referimi në kohë. Ne në atë kohë vendosëm që asnjë person në Republikën e Shqipërisë, gjyshe apo gjysh, nuk mund të ishte pa një pension dhe vumë pensionin social. Njerëz që s’kanë punuar asnjë ditë, kanë qenë shtëpiakë, s’kanë punuar, s’kanë paguar sigurime shoqërore, i vumë një pension social”, tha Rama.
E dyta, shtoi Rama, “ne kemi vendosur çdo vit një shumë jo të vogël, por rreth 20 milionë dollarë për të paguar, për të kompensuar energjinë elektrike të pensionistëve të vetmuar dhe të pensionistëve që janë kryefamiljarë, pra që janë në çift ose që janë vetëm dhe nuk janë pak para’ çdo vit. Është një sasi e kufizuar kilovat-orësh që paguhet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, për pensionistët e vetmuar. Është çdo vit në buxhet”./ata