Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se qeveria është në diskutime me palën greke për njohjen e pensioneve.

Gjatë një takimi  pensionistë në Fier, duke folur në lidhje me reformën në skemën e pensioneve, kreu i qeverisë tha se kjo marrëveshje do të kërkojë kohën e saj, pasi është një vendimmarrje e rëndësishme dhe ka peshën e vet financiare.

“Pjesa e fundit dhe kjo e vështirë, lidhja e marrëveshjes me Greqinë. Jemi në diskutime me palën greke. Do të kërkojë kohën e vet, jo për fajin tonë, por është vendimmarrje e rëndësishme dhe ka peshë të madhe financiare. Kjo shpërblen punën dhe djersën e një numri të madh shqiptarësh”, tha Rama.

Rama nënvizoi, “ne kemi në këtë periudhë të historisë sonë një situatë të trashëguar specifike, pasi shumë njerëz shkuan në emigracion dhe ka plot që kthehen nga emigracioni për të kaluar këtu pensionin dhe tronditen nga masa e pensionit”.

Por ndërkohë, vijoi Rama, “ata njerëz kanë fituar të ardhura në vendin ku kanë qenë në emigracion kanë paguar atje sigurimet shoqërore, por jo këtu”.

“Dhe kjo ka qenë një tjetër trashëgimi shumë e rëndë sepse kur ne morëm detyrën gjetëm vetëm një marrëveshje pensionesh me një shtet tjetër dhe një shtet, Turqia, ku numri i emigrantëve, për hir të së vërtetës, nuk është shumë i konsiderueshëm. Sot që flasim ne kemi arritur të lidhim marrëveshje me mbi 20 shtete, ku marrëveshja më e rëndë dhe më e vështirë e lidhur deri tani ishte ajo me Italinë, gjë që bën të mundur që të gjithë ata që dalin në pension dhe që kanë punuar në vendet me të cilat ne kemi këtë marrëveshje të mund të përfitojnë nga sigurimet shoqërore që kanë paguar edhe në atë vend. Pra, pensioni i tyre faktikisht është shuma e detyrimeve të paguara kur kanë qenë këtu në punë dhe kur kanë qenë atje në punë. Për këtë arsye do të dalë një pension shumë dinjitoz”./ata