Kryeministri Edi Rama tha sot se nga ana e qeverisë po mendohet ndërhyrja te pensionet, sepse është rritur ekonomia.

“Tani mund të mendojmë për pensionet, sepse është rritur ekonomia. Dy fjalë edhe për pagat. Kur rriten pagat, ju duhet të gëzoheni, sepse nga çdo pagë e rritur, marrim më shumë për të paguar pensionet. Çdokush që merr një pagë më të lartë, kontribuon më shumë për pensionet. Ne rrisim pagat në sektorin publik, por tërheqim edhe sektorin privat. Mësuesit marrin një pagë 950 euro, por çdo mësues paguan diçka më shumë për sigurimet shoqërore, përtej faktit që ata do të kenë një pension më të mirë kur të dalë në pension, ndërsa fondi zgjerohet. Nga rritja e pagave, përfituesi i parë është fondi i sigurimeve shoqërore. Ndërkohë që fondi i pagave nuk është gjëkundi i barabartë në peshën që ka në buxhetin e shtetit me fondin që nxjerrim nga buxheti për të mbushur hendekun e sigurimeve”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se qeveria paguan çdo vit rreth 1 miliard euro nga buxhetit i shtetit për të mbuluar deficitin në fondin e pensioneve.

“1 miliard paguajmë ne çdo vit nga taksat që të mbulojmë pensionet dhe shërbimin shëndetësor. Ai 4.1% është 100 milionë euro, vitin tjetër është plus, që do e paguajë qeveria.

Thonë pse i rrisni pagat e deputetëve dhe rritja pensionistëve. Sikur ato paga të mbulonin pensionet, i nxirrnim vullnetarë të gjithë deputetët. Ndërkohë, janë 140 deputetë, me 700 mijë pensione dhe janë një pikë uji në oqean. Kjo është vetëm demagogji e shëmtuar për të hedhur helm në gjakun dhe mendjen e pensionistëve. Nga rritja e pagave, përfiton fondi i pensioneve, por problemi ynë është që të reflektohet rritja e pagave edhe në sektorin privat. Nuk e pranojmë dot që një kompani ndërtimi deklaron paga 500 e 600 mijë të vjetra dhe ne e dimë që kjo nuk ekziston.

Për këtë arsye do ndërhyjmë, jua kemi bërë të qartë gjitha kompanive. Kjo është grabitje dhe ne do t’u qepemi mbrapa të gjitha kompanive që vjedhin pjesën e pensionistëve, njësoj si ata që vidhnin energjinë elektrike, ndërsa pensionistët ishin paguesit më të rregullt të energjisë dhe paguanin edhe për pjesën tjetër”, u shpreh Kryeministri./ata