Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se Shqipëria është një shtet i kapur, ndërsa korrupsioni është ngritur në një sistem që mbizotëron në administratën publike dhe lokale.
Në fjalën e saj në takimin e 18-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, Tabaku theksoi mungesën e vullnetit politik të qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e thella mes pushtetit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Sipas saj kjo situatë ka ardhur edhe për shkak të mungesës së një presioni dhe monitorimi nga ana e ndëkombëtarëve.
Tabaku u shpreh se plaga e vërtetë e Shqipërisë shërohet vetëm me një vullnet politik, teksa theksoi se qeveria ka refuzuar përpjekjet e opozitës për luftën ndaj korrupsionit.
Ajo kritikoi qeverinë për shfaqjeje triumfalizmi për procesin e integrimit europian, duke u kujtuar kohën prej 12 vitesh mungese arritjesh reale.
“Hapja e grupkapitujve “themelore” është një lajm i mirë. Por këtë shqiptarët e kanë pritur që në vitin 2013. Ka shumë për të ndërtuar, për të ndryshuar dhe Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për tu afruar me standardet europiane, por fatkeqësisht mungesa e vullnetit politik ka qenë një ndër faktorët që ka ndikuar pse ky proces nuk ka avancuar. Dhe ju vet keni përjetuar një protestë, ashtu si dhe ne përjetojmë shpesh sulme verbale dhe jo vetëm”, iu drejtua Tabaku eurodeputetëve.
Ajo ngriti çështjen e korrupsionit si shqetësim madhor në vend.
“80 % e shqiptarëve e kanë përjetuar korrupsionin në lëkurën e tyre. ëto janë shifra të raporteve dhe jo të opozitës. Korrupsioni endemik, gjendet në çdo institucion. Korrupsioni i lartë dhe lidhja me krimin e organizuar janë pengesat kryesore në procesin e integrimit”, deklaroi Tabaku.
Tabaku nënvizoi se pastrimi i parave në Shqipëri është një problem madhor që ka arritur nivele të papranueshme.
“Rreth 2.16% e PBB-së së vendit përbëhet nga para të pista që futen në ekonominë shqiptare. Ky është një realitet i hidhur, ku numërohen mbi 859 mijë transaksione korruptive të lidhura me pastrimin e parave. Këto janë shifra alarmante që tregojnë mungesën e plotë të vullnetit për të luftuar fenomenin nga ana e qeverisë”, deklaroi ajo.
Deputetja e PD gjithashtu kritikoi në mënyrë të ashpër qeverinë për keqmenaxhimin e fondeve publike dhe favorizimin e sektorëve të caktuar me ligje të posaçme, duke përmendur projektet problematike si aeroporti i Vlorës, porti i Durrësit dhe Teatri Kombëtar, të cilat, sipas saj, shkelin rregullat e konkurrencës dhe MSA-në.
“Janë dhjetëra milionë euro që humbasin për shkak të korrupsionit dhe kontratave të manipuluara në interes të individëve të lidhur me pushtetin. Ky është një krim kundër qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë çdo ditë pasojat e këtyre vendimeve”, tha Tabaku./ata