Buxheti për ndërtimin dhe sistemimin e rrugëve do të pësojë rritje gjatë vitit 2025. Sipas projektbuxhetit të depozituar në Kuvend, për këtë zë buxhetor janë planifikuar 18.53 mld lekë, nga 15.37 mld lekë që ishte sivjet. Sipas listës së shpenzimeve, projekti me vlerën më të lartë të financimit është ndërtimi i Korridorit 8 me një total prej 8.8 mld lekë, për 14 lotet ku aktualisht janë lidhur kontratat apo janë në fazë tenderimi.

Buxheti i vitit që vjen siguron financim edhe për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, në 2 lotet ku aktualisht kanë nisur punimet, ndërkohë qw financimi pwr fazat III, IV dhe V, që janë përfshirë si zëra për herë të parë kwtë vit, parashikohet të nisë në vitin 2027. Gjithashtu, buxheti i vitit që vjen parashikon financime për rikonstruksionin e rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa, në lotin e parë të saj.

Po ashtu, parashikohet financimi i Unazës së Madhe të Tiranës me 402 mln lekë, duke marrë në konsideratë se pjesa më e madhe e pagesave për kontratat e kësaj rruge janë kryer në vitet e mëparshëm.

Ndërkaq, për herë të parë këtë viti është përfshirë edhe financimi i ndërtimit të bypassit të Sarandës, me një fond prej 680 mln lekë të vënë në dispozicion. 2 projektte që bien në sy janë edhe ndërtimi i rrugës Kashar – Nyja Vaqarr, me 1.46 mld lekë dhe rehabilitimi i rrugës Fier -Kthesa e Patosit – Frataj, me 1.27 mld lekë.

Paralelisht, do të vijojë financimi për kontratat e partneritetit publik – privat, ku sipas draftit të dërguar në Kuvend janë 3 kontrata që do të mbështeten, me një vlerë totale prej rreth 5.4 mld lekë. Paratë do të shkojnë për koncesionin e rrugës së Arbrit, autostradën Milot – Morinë dhe ndërtimin e rrugës Orikum – Dukat, si dhe shërbimet inxhinierike të PPP për ndërtimin e aksit Thumanë – Kashar.

Ndërkaq, sa i takon investimeve rrugore me financim të huaj, janë rreth 3.4 mld lekë që do të shkojnë për transportin rrugor. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojë për ndërtimin e segmentit rrugor Qukës – Qafë Plloçë, me 2.4 mld lekë./Tema