Javën e kaluar Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e tretë për blerjen e euros, sipas kalendarit të parashikuar për vitin 2023. Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes pesë dhe nëntë milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë pranoi të gjitha ofertat e paraqitura në këtë raund, për një shumë totale prej 7.9 milionë eurosh.

 

Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 112.75 dhe 113 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 112.86 lekë. Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 1.2 milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë, prej 112.86 lekësh.

 

Shuma totale e blerë, prej 9.1 milionë eurosh, ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me shumën prej14 milionë eurosh të blera në ankandin e muajit mars, kryesisht për shkak të shumave më të ulëta të ofruar nga pjesëmarrësit në ankand. Ankandi i zhvilluar javën e kaluar ishte i llojit forward (për blerje në të ardhmen) njëmujor. Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë zynon të zhvillojë më tej përdorimin e marrëveshjeve të këtij lloji, që vlerësohen si një instrument që mund t’i nxisë bankat tregtare të ndërmarrin hapa në drejtim të zhvillimit të tregut të parasë.

 

Nga 16 ankande të parashikuara, gjysma e parashikohen me marrëshje forward dhe gjysma me marrëveshjet klasike spot (me blerje në datën e ankandit). Në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka përdorur zakonisht marrëveshjet forward me afat njëjavor, ndërsa për vitin 2023 marrëveshjet forward do të kenë një afat më të gjatë, njëmujor. Banka e Shqipërisë ka parashikuar të blejë një shumë midis 160 dhe 220 milionë eurove për vitin 2023. Kjo shumë përfaqëson një rritje të konsiderueshme në raport me shifrat e vitit të kaluar, kur blerjet e valutës vlerësohen në afërsisht 140 milionë euro.

 

Këto shifra i referohen vetëm blerjeve të planifikuara për qëllimet e rritjes së rezervës valutore. Në fund të muajit janar, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 4.96 miliardë eurove, në rënie të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me gjithë blerjet periodike në vlera të konsiderueshme nga Banka e Shqipërisë, euro po vijon rënien në pjesën e parë të vitit 2023, duke shënuar madje rekorde të reja historike. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të martën euro u këmbye me 112.63 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

 

Mes të tjerash, forcimi i lekut në kursin e këmbimit kundrejt valutave kryesore dhe sidomos ndaj euros ka pasur një ndikim të ndjeshëm negativ në rezultatin financiar të Bankës së Shqipërisë. Zhvlerësimi i rezervës valutore, i shprehur në monedhën vendase, ka shkaktuar humbje në vlerën e 14.5 miliardë lekëve për vitin e kaluar./Monitor