Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njoftoi se, në Bruksel nga data 30 janar deri 2 shkurt u zhvillua takimi bilateral Screening mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë për kapitullin 1 “Lëvizja e lirë e mallrave”.

 

Lëvizja e lirë e mallrave është një nga katër liritë themelore të Bashkimit Evropian. Parimi i lëvizjes së lirë të mallrave nënkupton që produktet duhet të qarkullojnë lirshëm nga një pjesë e Bashkimit në tjetrën.

 

Grupi i ekspertëve të MFE dhe institucioneve të tjera që janë të përfshirë në këtë kapitull bënë prezantimet përkatëse se çfarë është arritur deri tani për to.

 

Gjatë këtij takimi u theksua se Qeveria shqiptare do të marrë nisma për heqjen e masave kufizuese në importin e mallrave dhe lehtësimin e tregtisë. Këto masa do ta bëjnë vendin tonë më të hapur kundrejt tregjeve europiane.

 

MFE bën të ditur se, për të mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave, acquis në këtë kapitull parashikon një kuadër rregullator të harmonizuar sipas “qasjes së vjetër” (duke parashikuar specifikimeve të detajuara për produktet) ose sipas “qasjes së re” (duke vendosur kërkesa të përgjithshme për produktet) në disa sektorë.

 

Sipas MFE-së, legjislacioni i harmonizuar evropian mbi produktet, i cili duhet të transpozohet, përfaqëson pjesën më të madhe të acquis. Për më tepër, është thelbësore të ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme administrative për të njoftuar kufizimet në tregti dhe për të zbatuar masat horizontale dhe procedurale në fusha të tilla si standardizimi, vlerësimi i konformitetit, akreditimi, metrologjia dhe mbikëqyrja e tregut.

 

Shqipëria tashmë ka hyrë në një proces të rëndësishëm, pas hapjes së negociatave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nga 33 kapituj gjithsej në procesin e Integrimit Europian, Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton 13 kapituj dhe 2 kapituj me bashkënegocim, si dhe Kriterin Ekonomik.