Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se borxhi publik në vitin 2025 parashikohet të zbresë nën nivelin 56% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjatë prezantimit të pr/buxhetit për vitin që vjen, në Konferencën e Kryetarëve, Malaj bëri të ditur se progresi në reduktimin e nivelit të borxhit publik ka ardhur falë masave të ndërmarra.

“Në vitin 2023, regjistruam një balancë primare pozitive, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul ndjeshëm me 6.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 57.5%, niveli më i ulët që nga viti 2008. Synojmë të vazhdojmë këtë trend pozitiv, duke ruajtur stabilitetin fiskal dhe duke konsoliduar financat publike për një ekonomi më të qëndrueshme”, tha ai.

Rezultatet e deritanishme, vuri në dukje ministri, janë reflektuar edhe në përmirësimet e vlerësimeve të kreditit për vendin tonë, që janë dhe dëshmi të besimit të tregjeve financiare ndërkombëtare në qëndrueshmërinë dhe drejtimin që ka marrë ekonomia shqiptare.

“Në prill 2024, S&P e ngriti vlerësimin e Shqipërisë nga “B+” në “BB-” dhe së fundmi, në tetor 2024, gjithashtu Moody’s e ngriti vlerësimin nga “B1, pozitive” në “Ba3, e qëndrueshme”. Këto janë dëshmi të besimit të tregjeve financiare ndërkombëtare në qëndrueshmërinë dhe drejtimin që ka marrë ekonomia shqiptare”, tha ai.

Për vitin 2025, vijoi Malaj, buxheti do të zbatohet në përputhje të plotë me objektivat kryesore të politikës fiskale, duke synuar të kufizojë deficitin e përgjithshëm buxhetor në 2.6% të PBB-së dhe të ruajë një bilanc primar pozitiv, me qëllimin për të vijuar uljen e raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, sipas pritshmërive aktuale poshtë nivelit 56% të PBB./ata