Normat e interesit (yield-et) e bonove të thesarit me afat 12-mujor, shënuan rënie në ankandin e kësaj jave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3%, nga 3.02% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, i zhvilluar në mesin e muajit tetor. Nga 8 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave arriti në pothuajse 11.1 miliardë lekë.

Krahasuar me një vit më parë, yield-i i bonove 12-mujore është në nivelet më të ulëta, nga 3.75% që ishte më parë.

Normat e interesit në rënie për bonot, po reflektojnë rënien e inflacionit dhe mbajtjen e normave relativisht të ulëta të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë.

Gjithashtu rënia e interesit të bonove ndikon drejtpërdrejtë në uljen e interesit të kredisë duke nxitur rritjen e huadhënies në monedhën vendase./ata