Prindërit e trajnerit të Kombëtares U-21 të futbollit, Alban Bushi kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Greqi.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Egnatia”, në aksin Veria-Selanik, pranë Kouloura Imathias.
Fugoni me targa PMX-8942 i drejtuar nga 47-vjeçari grek Marios Simitliotis është përplasur me automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa shqiptare AB 454 GF që drejtohej nga 75-vjeçari shqiptar Ali Bushi.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën 75-vjeçari Ali Bushi dhe pasagjerja 71-vjeçare Bukurije Bushi.
I plagosur lehtë ka mbetur edhe shtetasi grek, i cili është arrestuar nga policia.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shprehur ngushëllimet për këtë ngjarje tragjike.
“Sapo mësova lajmin e dhimbshëm për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të dy prindërve të jashtëzakonshëm, njerëzve të mirë, Ali dhe Bukurije Bushi, në një aksident në Greqi.
Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia shkojnë tek Albani dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, që përveç trishtimit për këtë humbje të madhe, do të përballen edhe me mungesën e pamatë të dashurisë prindërore”, shkruan Duka.
“Në emrin tim personal dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Albani ka kaluar shumë vite si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Qoftë kujtimi i tyre i paharruar”, thekson Duka në mesazhin e ngushëllimit./ata