Një objekt me rëndësi për trashëgiminë tonë kulturore në qarkun e Gjirokastrës, është kalaja e Kardhiqit, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë I që prej vitit 1963.

Kalaja e Kardhiqit, vetëm 4 km larg nga Gjirokastra, ka qenë një qendër strategjike e rëndësishme ndër shekuj.

Ndërtuar mes shekujve XIV-XV, kjo kala e mahnitshme mban brenda vetes histori të shumta. Me mure të forta dhe shkallë të gdhendura në gur, kalaja ofron jo vetëm një përvojë të pasur historike, por edhe një natyrë të larmishme dhe pamje të mrekullueshme të luginës së Kardhiqit, duke ofruar një destinacion interesant për ata që duan të eksplorojnë historinë dhe natyrën.

Kalaja ndodhet në fshatin Kardhiq, afërsisht në mes të luginës me të njëjtin emër. Lugina paraqet një linjë të rëndësishme komunikimi, të njohur që në Antikitet, e cila lidhet me trevën e Gjirokastrës, me pellgun e Delvinës.

Sipas eksploratorit osman Evlia Çelebiu si dhe burimeve të tjera që citon DRTK Gjirokastër, lugina e Kardhiqit ndonëse me vështirësi, të nxirrte dhe në gjirin e Vlorës. Pikërisht në vendin ku rruga kthen për të dalë në Qafën e Skërficës dhe më tej në pellgun e Delvinës, gjendet një kodër në trajtë trungu konik. Vetë kodra ka shpate mjaft të pjerrëta që e veshtirësojnë së tepërmi ngjitjen.

Kodra prej formacioni gëlqeror mbulohet prej një shtrese dheu, që e bën të papërshtatshme për banim. Në pjesën e sipërme ajo kurorëzohet prej një brezi shkëmbor i cili kufizon një platformë të vogël me diametër 70-80 m. Kushtet për ngulimin e një qendre të fortifikuar janë mjaft të përshtatshme si në drejtimin ekonomik, ashtu dhe strategjik.

Kalaja zë pjesën më të madhe të platformës, ajo ka formën e një pesëkëndëshi me perimetër 280 m, të përforcuar në çdo kulm prej një kulle. Përveç mbrojtjes natyrale që siguron terreni, midis shkëmbinjve vihen re dhe mure, të cilat pengojnë ngjitjen nëpërmjet çarjeve të tyre.

Në brendi të rrethimit shihen rreth 23 ambiente në formë qelie, si dhe dy stera me kapacitet mbi 350 metër kub.

Specialistët e DRTK Gjirokastër vazhdimisht kryejnë punime mirëmbajtjeje, siç është dhe pastrimi nga bimësia që po kryhet aktualisht në kalanë e Kardhiqit./ata