Deputetja e PD Elda Hoti është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Pasi doli nga ambientet e SPAK, Elda Hoti dha një deklaratë për mediat. “Shqetësimi i vetëm i SPAK duhet të jenë aferat korruptive dhe masakra si ajo e Shkodrës”, tha deputetja.

Pse nuk thërret SPAK Ulsi Manjën, Frida Krifcën, Ogerta Manastirliun për aferat korruptive. Për këto duhet të shqetësohet SPAK. Sa herë i prishet qetësia regjimit. Brenda SPAK deklarova atë që deklarova në Kuvend. Është e turpshme, shqetësim për çdo shqiptar duhet të jetë masakra e ndodhur në Shkodër. Duhet të shqetësohet si bandat e krimit rrezikojnë jetën e qytetarëve të pafajshëm. Sot drejtësia duhet të shqetësohet si bandat vendosin drejtorët e policisë”, deklaroi Hoti.

Ishte policia që referoi në SPAK deputeten, për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, pasi hodhi lëndë të dyshimtë në Kuvend, në seancën e 17 tetorit.

Deputetët e tjerë që janë kallëzuar në SPAK janë Flamur Noka, Bledion Nallbati, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Luan Baçi dhe Sajmir Korreshi, të cilët do të hetohen për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim.

Demokratja deklaroi pasi doli nga Kuvendi se lënda që derdhi në sallë ishte aromatizues. “Nuk ishte asgjë që mund t’ju rrezikojë jetën, ishte aromatizues, le ta vlerësojë Prokuroria, SPAK se bëri kërcënim ndaj meje dhe kolegëve, kemi një mision dhe misionin tonë për të mbrojtur qytetarët”, tha Hoti për mediat./Dita