Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi transportonte emigrantë të paligjshëm për të kaluar kufirin në këmbim të parave.

 

 

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi me inicialet A. H., banues në Lushnjë, si dhe u sekuestruan një shumë parash (lekë dhe euro) dhe një aparat cellular.

 

Njoftimi i plotë:

 

 

Transportonte kundrejt fitimit, 4 emigrantë, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin, vihet në pranga 38-vjeçari.

 

Sekuestrohen një shumë parash (lekë dhe euro) dhe një aparat celular.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, kundrejt fitimit, emigrantëve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kanë konstatuar një rast tjetër të kësaj veprimtarie.

 

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

 

Shtetasi A. H. është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjetin e tij, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Në tentativë për t’u larguar me qëllim shmangien e kontrollit nga shërbimet e Policisë, është përplasur me një automjet tjetër, duke shkaktuar dëme materiale.

 

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. H. dhe kontrollit në automjetin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan një shumë parash (lekë dhe euro) të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e jashtëligjshme dhe një aparat celular.

 

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim dhe një shtetas, i dyshuar si bashkëpuntor për këtë veprimtari kriminale, të dhënat e të cilit, për arsye hetimi nuk bëhen publike.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.