Përderisa pak ditë kanë mbetur deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA, zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump janë në një garë të ngushtë në disa shtetet kyçe.

Sipas një sondazhi të Economist/YouGov të publikuar të mërkurën, 47 për qind e votuesve të regjistruar thonë se do të votojnë ose kanë votuar tashmë për kandidaten demokrate Harris, ndërsa 46 për qind thonë të njëjtën gjë për kandidatin republikan Trump.

Hendeku aktual midis kandidatëve shkon gjithnjë e duke u përafruar në javët e fundit, duke reflektuar stabilitetin e garës.

Washington Post raportoi dje se Harris ka ruajtur epërsinë e saj në nivel kombëtar dhe në shtetet kyçe si Miçigan, Uiskonsin dhe Nevada, megjithëse epërsia e saj në Pensilvani është ngushtuar gjatë javës së kaluar.

Ndërkohë, Trump vazhdon të udhëheqë në Arizona, Gjeorgji dhe Karolinën e Veriut.

RealClearPolitics, që ndjek të gjitha sondazhet kryesore, e shfaq Trump-in me një epërsi prej 0,4 për qind në nivel kombëtar, ndërsa në shtetet kyçe, ai ka një epërsi të vogël prej 1 për qind.

Sondazhi i CBS News tregon se gara në Pensilvani midis kandidatëve Trump dhe Harris është jashtëzakonisht e ngushtë, ku secili kandidat ka mbështetjen e 49 për qind të votuesve.

Një sondazh i Fox-it i publikuar dje tregon se Trump kryeson ndaj Harris me një diferencë të ngushtë prej një pike në Pensilvani dhe Karolinën e Veriut, ndërsa të dy janë të barabartë në Miçigan.

Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Uiskonsini janë shtatë shtetet kyçe në këto zgjedhje.

Këto shtete ku fituesi është i paqartë janë thelbësore, sepse SHBA nuk i zgjedh drejtpërdrejt presidentët e saj. Në vend të kësaj, procesi zhvillohet përmes Kolegjit Zgjedhor, ku 538 përfaqësues votojnë në përputhje me rezultatet e tyre shtetërore.

Për tu shpallur fitues, një kandidati duhet të sigurojë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor ndahen në shtete bazuar në popullsinë e tyre dhe shumica e shteteve i japin të gjitha votat e tyre cilitdo kandidat që fiton shtetin në votimin e përgjithshëm.

Megjithatë, modeli "fituesi i merr të gjitha" nuk zbatohet në shtetet si Nebraska dhe Maine, të cilat në vend të kësaj, i shpërndajnë votat e tyre në mënyrë proporcionale bazuar në rezultatet e tyre përfundimtare.

Dita e Zgjedhjeve në SHBA, duke përfshirë zgjedhjet presidenciale dhe ato të Kongresit, është caktuar për të martën, 5 nëntor./aa