Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në  Konferencën e Ministrave mbi Dimensionin Humanitar të Formulës së Paqes në Ukrainë të mbajtur në Montreal të Kanadasë.

Në këtë konferencë Hasani shprehu angazhimin e Shqipërisë për të qëndruar të bashkuar për të trajtuar koston njerëzore të agresionit rus.

“Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Ukrainën në ndihmë urgjente, mbrojtjen civile, mbështetjen për personat e zhvendosur dhe rindërtimin e infrastrukturës kritike”, theksi kryediplomati shqiptar.

“Jemi të vendosur që paqja, stabiliteti dhe drejtësia për Ukrainën duhet të mbizotërojë”, theksoi më tej Hasani.

Ministri gjithashtu falënderoi Kanadanë për pritjen dhe Norvegjinë dhe Ukrainën, për bashkorganizimin e kësaj konference të rëndësishme.

Aktiviteti i bashkë-organizuar nga Kanadaja, Norvegjia dhe Ukraina, kishte për qëllim trajtimin e krizës humanitare që ka shkaktuar agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe diskutimin mbi ndihmat dhe mbështetjen ndërkombëtare për zbutjen e pasojave të luftës.

Ky aktivitet është pjesë e Formulës së Paqes të Ukrainës, një iniciativë e udhëhequr nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që ka për synim arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë për Ukrainën./ata