Sekretari për Çështjet Ekonomike dhe Financave në Partinë e Lirisë, Petraq Milo deklaroi sot se në fund të vitit 2023, Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit, në 60.0 % të PBB-së.

Sipas Milos, vlerësimi i barrës së borxhit publik dhe treguesve të tij duhet të bëhet i krahasuar me vendet e rajonit, dhe jo vetëm për treguesin e borxhit publik në përqindje të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto dhe për frymë, por dhe kapacitetit për shlyrjen e borxhit në raport me të ardhurat publike, si dhe me volumin e eksporteve të mallrave.

Milo theksoi po ashtu se sipas censusit të ri, Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon për borxhin për frymë.

“Shqipëria ka treguesin më të lartë të shlyrjes së borxhit publik me të ardhurat publike në vite fiskale, për arsye të performancës së ulët të mbledhjes së të ardhurave publike. Shqipërisë i duhen të ardhurat publike e 2.2 viteve fiskale për të shlyer borxhin e saj”, shtoi ai.

Po ashtu, Milo theksoi se Shqipëria ka treguesin më të lartë të shlyrjes së borxhit me eksportet e mallrave, për arsye të nivelit të ulët të eksporteve krahasuar me vendet e rajonit.

“Shqipërisë i duhen eksportet e 7 viteve për të shlyer borxhin”, tha Milo./ata