Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha reagoi sot ndaj akuzave të deputetëve të opozitës lidhur me kontejnerët me mbetje të kthyera në portin e Durrësit.

Ministri Hoxha u shpreh se, “urdhri i Prokurorisë i Rrethi Gjyqësor Durrës ka dalë në datën 27.10 2024. Kjo ka qenë një ditë e diel. Ne jemi koordinuar plotësisht për sa i përket zbatimit të këtij urdhri, dhe unë të siguroj që ne nuk jemi në periudha ku urdhrat e prokurorisë nuk zbatohet. Kjo periudhë ka mbaruar, nuk është më fare aktualitet”.

“Në bashkëpunim me Doganën, Policinë e Shtetit dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese po krijohet infrastruktura e përshtatshme e vendosjes konform ligjit të këtyre kontejnerëve në hapësirat publike, të cilat do të kontrollohen dhe monitorohen nga policia”, tha Hoxha.

Ministri theksoi se, “janë mbi 102 kontejnerë të cilët kërkojnë infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk janë disa kuti kartoni që ne mund t’i fshehim dhe mund t’i fusim kudo ku ju mendoni. Pra këto kontejnerë do të vendosen në një hapësirë e cila do të monitorohet me punonjës policie”.

Hoxha nënvizoi se, urdhri i Prokurorisë është totalisht 100% i ekzekutueshëm.

“Ne po marrim masat në koordinim me të gjithë strukturat për ta bërë këtë urdhër të ekzekutueshëm. Koha e urdhrave të prokurorisë kur jepeshin dhe nuk ekzekutoheshin nuk ekziston më dhe për këtë gjë shumë drejtues, punonjës të policisë të atëhershëm janë në SPAK për të dhënë llogari që nuk kanë zbatuar urdhrat e prokurorive”, tha Hoxha.

Deputeti Agron Shehaj, kërkoi nga qeveria që të zbatohet urdhri i Prokurorisë, i cili kërkon sekuestrimin e mbetjeve toksike të kthyera në portin e Durrësit.

Duke mbajtur urdhrin e prokurorisë në dorë, Shehaj shkoi drejt vendit të ministrit të Brendshëm dhe ia dorëzoi atë fizikisht, duke theksuar se ky urdhër nuk është zbatuar ende nga autoritetet ligjzbatuese.

Shehaj nënvizoi se qeveria nuk e zbaton urdhrin pasi synon të fshehë skandalin e trafikut të mbetjeve nga porti i Durrësit.

“Pse nuk zbatoni urdhrin e prokurorisë? Ky është urdhri, dhe e thotë qartë. Unë e kuptoj që situata është bërë qesharake dhe ju talleni me qytetarët dhe institucionet, duke luajtur ‘ping pong’, duke thënë si t’ia bëjmë që janë në mes të detit. Është e qartë çfarë kërkon prokuroria. Prokuroria i kërkon kësaj qeverie, pasi nuk ka skandal më të madh se ky që përfshin gjithë qeverinë. I kërkohet autoritetit portual, kapitanerisë së Portit, drejtorisë vendore për Kufirin dhe Migracionin, drejtorisë vendore të Policisë dhe Doganave që të zbatojnë urdhrin e prokurorisë. Mirë që nuk protestoni, por të paktën respektoni urdhrin e prokurorisë. Është e qartë pse nuk e bëni, sepse nuk doni të fshihni trafikun ndërkombëtar të mbetjeve që keni bërë nga porti i Durrësit. Pse nuk e sekuestroni ngarkesën? Mos u bëni qesharakë, por zbatoni urdhrin e prokurorisë,” tha Shehaj./ata