Poliklinika e Specialiteteve në Durrës ka hapur dyert pas rikonstruksionit tërësor me ambiente të transformuara dhe e pajisur me aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako kanë parë nga afër ambientet e reja të Poliklinikës e cila mban peshën kryesore të shërbimit shëndetësor ambulator për qarkun e Durrësit.

177,950 banorë përfitojnë nga ky investim i buxhetit të shtetit dhe MSHMS-së, i cili ka mundësuar ambiente pritëse të zgjeruara, kushte bashkëkohore dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit për të ofruar shërbim të shpejtë dhe cilësor në 17 specialitete dhe ekzaminime laboratorike.

“Poliklinika e Specialiteteve në Durrës tani hap dyert për 156 mijë qytetarë që marrin shërbim këtu, të qytetit të Durrësit, por dhe 25 mijë qytetarë të Shijakut. Është një investim i cili është kryer tërësisht me fondet e buxhetit të shtetit. Ka bërë rehabilitimin e plotë të infrastrukturës fizike dhe të mobilimit, por dhe pajisjen me teknologjinë e fundit”, tha Koçiu.

Ajo theksoi se pajisjet e reja mjekësore, janë një vlerë e shtuar për shërbimin cilësor që do të marrin qytetarët. “Janë 17 specialitete apo mjekë specialistë të cilët ofrojnë shërbim në Poliklinikën e Durrësit e cila tani është dhe një mbështetje më shumë për spitalin pasi të gjithë diagnostikimet që mund të kryhen në këtë Poliklinikë vijnë edhe në lehtësim të radhës së pritjes për qytetarët që marrin shërbim në Spitalin e Durrësit, por jo vetëm”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.

Koçiu tha se risi në këtë Poliklinikë është kabineti i ndërhyrjeve kirurgjikale mikroinvazive, zgjerim i shërbimit të imazherisë me Kabinet të ri Digjital, duke kaluar në një stad tjetër dhe ndryshuar rrënjësisht kabinetin e ekografisë.

Po për herë të parë në Poliklinikën e Specialiteteve është ngritur Radiografia digjitale, duke u bërë qendra e dytë digjitale në Durrës pas Radiologjisë në Spitalin Rajonal Durrës, e cila mundëson shërbim cilësor si dhe realizim telekonsultave në kohë reale.

“1600 metra katrorë sipërfaqe e rehabilituar tërësisht edhe kabinetet e tjera si ai i sëmundjeve të brendshme, dermatologji, hematologji, alergologjim të gjitha shërbimet janë të inkorporuara si dhe shërbime të tjera si ai i okulistikës, neurologjisë, kardiologjisë, mikrokirurgjitë janë të rëndësishme. Kondicionimi, ashensor, rampa për personat me aftësi të kufizuar, pra janë përmbushur të gjithë standardet”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu./ata