Shkolla 9-vjeçare “Irakli Bozo” në Golem të Lushnjës po rikonstruktohet për të ofruar kushte mësimore sipas standardeve të BE-së për 150 nxënësit e saj.
Kryeministri Edi Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se me përfundimin e saj, kjo shkollë bëhet pjesë e zinxhirit të shkollave të rilindura në të gjithë vendin.
Godina e shkollës “Irakli Bozo” u shpall e papërdorshme nga Instituti i Ndërtimit, pas tërmetit të fortë që goditi vendin nëntorin e 2019-ës, ndaj ajo u shemb për t’u rindërtuar nga e para.
Rama ndau pamje të kësaj shkolle, ku shfaqeshin dëmtimet e mëdha të shkaktuara nga tërmeti, si dhe të kantierit të punimeve për rindërtimin e saj, tashmë në fazën përfundimtare.
“Shkolla 9-vjeçare “Irakli Bozo”, po rilind në Golem, Lushnjë, për të ofruar kushte mësimore sipas standardeve të BE-së për 150 nxënësit e saj dhe duke u bërë pjesë e zinxhirit të shkollave të rilindura në të gjithë vendin”, u shpreh Rama.
Në të gjithë vendin, 25 objekte arsimore hapën dyert në fillim të vitit të ri shkollor 2024-2025, ndërsa puna vazhdon në objekte të tjera, të cilat pritet të përfundojnë brenda këtij viti shkollor./ata