Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov nga Shqipëria në Rusi u realizua sipas procedurave ligjore dhe vendimeve gjyqësore të miratuara nga autoritetet shqiptare.

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Burgjeve ka përshkruar të gjitha procedurat ligjore që janë ndjekur për ekstradimin e tij.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, Kokunov, lindur më 10.02.1964 në Rusi, u arrestua në Shqipëri më 26 gusht të vitit 2023 dhe fillimisht iu caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për 40 ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër më 29 gusht 2023.

“Me vendim të ri më 4 tetor 2023, kjo masë u shndërrua në “Arrest në burg” pa afat, për të mundësuar vazhdimin e procedurave të ekstradimit. Në kuadër të përgatitjeve për ekstradimin, më 26.09.2024 Ministria e Drejtësisë kërkoi informacione për gjendjen ligjore të Kokunov. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se ai mbahej për efekt të masës së sigurimit “Arrest në burg”, pa afat”- njofton Drejtoria e Burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve bën të ditur se pas miratimit të ekstradimit nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe konfirmimit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë miratoi ekstradimin më 14 tetor 2024.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov u krye më datë 30 tetor 2024, në orën 16:45, sipas procesverbalit të nënshkruar në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, ku ai u dorëzua autoriteteve ruse.

“Më datë 31 Tetor 2024, Ministria e Drejtësisë u njoh zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa me email Gjykata njoftoi Ministrinë e Drejtësisë në orën 17:53 të datës 30 tetor, jashtë orarit zyrtar. Ky vendim, i marrë nga Gjykata Kushtetuese në datë 30.10.2024, ora 17:15, urdhëronte pezullimin e përkohshëm të procedurave të ekstradimit deri në një vendimmarrje të dytë nga kjo gjykatë”- njofton Drejtoria e Burgjeve./ata