Ambasadorja e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato mbajti fjalimin hyrës në Seminarin Trilateral të 5-të Shqipëri-Japoni-Spanjë mbi “Nanoteknologjinë në Shekullin e 21-të”, i cili zhvilloi punimet në Tiranë.
Ky seminar u organizua në bashkëpunim me Konferencën “NanoBalkan”, që po zhvillohet aktualisht në Tiranë, me një delegacion nga Japonia, i përbërë nga disa kërkues shkencorë universitarë, të udhëhequr nga Profesor Yasuaki Sakaenaga nga Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjisë në Universitetin Keio.
Seminari, tani në vitin e tij të pestë, filloi si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Profesor Arben Merkocit, një profesor me origjinë shqiptare në Institutin Katalanas të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë (Barcelona, Spanjë), dhe Profesor Sakaenagës.
Ambasadorja Kato vlerësoi se ky seminar do të lehtësojë shkëmbimin e njohurive në lidhje me aplikimin e nanoteknologjisë në fusha që vlerësohen shumë në shoqërinë e sotme, si shkencat mjekësore, teknologjia e informacionit dhe energjia.
Ambasadorja gjithashtu u shpreh se shpreson për diskutime mbi bashkëpunimin midis industrisë dhe akademisë, ndërtimin e rrjeteve midis studiuesve dhe promovimin e shkëmbimeve akademike midis Japonisë dhe Shqipërisë, si dhe midis Japonisë, Shqipërisë dhe Spanjës./ata