Kryetarja e Komisionit për Integrimin Evropian, Jorida Tabaku ka komentuar Progresraportin e BE-së për Shqipërinë, ku sipas saj ka pasur një mungesë përkushtimi nga ana e qeverisë dhe institucioneve për reformat që duhet të ishin ndërmarrë për integrimin evropian.
Tabaku tha se Parlamenti ka dështuar për të zbatuar Reformën Zgjedhore konform sugjerimeve të OSBE-ODIHR.
“Ky dështim ka ardhur si mungesë e vullnetit politik të qeverisë për të adresuar të gjitha problematikat për 11 vite, me një reformë që do t’i kishte bërë nder parlamentit, por që fatkeqësisht mungon”, u shpreh Tabaku.
Tabaku theksoi se Progresraporti zbulon se nuk janë respektuar në tre raste vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Tabaku tha gjithashtu se Progresraporti tregon një shtet të kapur nga interesat private.
“Shqipëria ka ndërtuar një shtet të kapur nga interesa të ngushta private”, tha Tabaku.
Progresraporti, tha Tabaku, thekson “shqetësimet për sulmet ndaj institucioneve që kontrollojnë financat publike”.
Deputetja e PD-së u shpreh se në Progresraport nënvizohet edhe përkeqësimi i lirisë së medias.
Tabaku u ndal gjithashtu tek korrupsioni.
“Korrupsioni dhe kapja e tregut. Ka shqetësime që lidhen me koncesionet publike, mungesa e mekanizmave për invesimet e huaja dhe një kuadri ligjor serioz, keqpërdorimi i burimeve natyrore”, u shpreh Tabaku.
Tabaku e përmbylli fjalën e saj duke nënvizuar se Shqipëria ka nevojë për një proces integrimi që do të sjellë ndryshime pozitive për qytetarët shqiptarë.
“Shqipëria ka nevojë për t’i përmbushur këto angazhime. Janë të gjithë elementët për të cilët opozita është duke protestuar. Shpresoj që raportin ta kthejnë në plan pune. Kemi nevojë për proces integrimi që t’i vërë fre largimit që është kthyer në shqetësimin kryesor. Kemi nevojë për një proces integrimi që të ndryshojë jetën e shqiptarëve. Shpresoj që të reflektojë kush ka për të marrë vendime”, u shpreh Tabaku./ata