Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi rritje të lehtë me 0.4 pikë në muajin tetor.
Niveli i TNE-së, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, qëndron rreth 13 pikë mbi mesataren historike.
Përmirësimi i TNE-së në tetor u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve. Në një masë më të vogël ndikoi edhe rritja e besimit konsumator dhe e sektorit të tregtisë.
Nga ana tjetër, treguesit e besimit në sektorin e industrisë dhe në atë të ndërtimit shënuan rënie në krahasim me një muaj më parë.
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) regjistroi rënie me 2.5 pikë përqindje në muajin tetor, por duke qëndruar rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e TBI-së këtë muaj u ndikua kryesisht nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për prodhimin industrial aktual dhe në veçanti, për nivelin e porosive të reja. Gjithashtu, bizneset nuk janë optimiste për nivelin e prodhimit industrial në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen ranë lehtësisht në krahasim me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u tkurr me 3.3 pikë përqindje në tetor. Megjithatë, niveli i tij aktualisht qëndron 23 pikë mbi mesataren historike dhe afër vlerave maksimale (Grafik 2). Rënia e TBN-së këtë muaj u përcaktua nga të dy komponentët përbërës: vlerësimet për aktivitetin aktual ndërtues, si dhe niveli i porosive të reja. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar gjithashtu rënie.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) shënoi rritje me 4 pikë përqindje në muajin tetor, duke përcaktuar rritjen e treguesit të përgjithshëm. Niveli i tij aktualisht qëndron 19 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e TBSH-së u përcaktua kryesisht nga balancat më pozitive lidhur me ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe nivelit aktual të kërkesës. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen./ata