E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, gjatë një takimi të zhvilluar sot me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, vlerësoi rolin e rëndësishëm që ato luajnë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

VanHorn theksoi se shoqëria civile është një komponent jetik për një demokraci funksionale dhe gjithëpërfshirëse.

“Jam shumë e kënaqur që jam këtu për të diskutuar rëndësinë e shoqërisë civile për një demokraci që funksionon mirë. Shqipëria e kupton më mirë se shumë vende të tjera rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile,” tha VanHorn.

Diplomatja amerikane vuri në dukje angazhimin e të rinjve shqiptarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për luftën kundër korrupsionit.

“E shoh këtë tek të rinjtë që marrin pjesë në programet e ambasadës sonë dhe flasin me pasion për angazhimin e tyre për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një demokraci që ofron rezultat për çdo qytetar,” tha VanHorn.

Ajo nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme që SHBA ka dhënë për afro 30 vite për shoqërinë civile në Shqipëri, duke mbështetur mbi 30 organizata çdo vit.

“Kjo është një mundësi për të vlerësuar punën e shoqërisë civile, veçanërisht për grupet vulnerabël. Puna juaj kërkon kurajë dhe sakrifica personale,” shtoi VanHorn.

Në përmbyllje, VanHorn deklaroi se Ambasada e SHBA e mbështet plotësisht shoqërinë civile në përpjekjet e saj për integrimin në BE dhe e konsideron atë një partner thelbësor në këtë proces./ata