Drejtuesi i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha, në studion e emisionit “Open” në News24, tha se, vendimi i 11 qershorit i Gjykatës së Apelit do të çohet në Gjykatën e Lartë përmes një rekursi.

Ai tha se, po pret zbardhjen e vendimit të Apelit për t’iu drejtuar Gjykatës së Lartë.

Basha shtoi se, në këtë vend nuk mund të shndërrohet në normë padrejtësia.

“Nuk pati gjykim themeli në Apel, sikundër udhëzonte Gjykata e Lartë. Me çështjen do të merren juristët, ne nuk harxhojmë asnjë minutë kohë me këtë debat shterpë”, tha Basha, duke shtuar se forca jonë është Partia Demokratike e Shqipërisë, demokratët euroatlantikë.

Basha tha se, ky vendim është në vijim të pazareve mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, ku të parit i jepet një vulë, ndërsa të dytit i falet pushteti edhe për 4 vjet.

Basha paralajmëroi se, ky pazar do të vijojë dhe shqiptarët do të përballen me gjëma si pasojë e këtij pazari.

“Amnistia e votuar nga disa deputetë të PD-së për të liruar zyrtarë të dënuar nga SPAK për korrupsion është fakt dhe nuk është akuzë”, tha Basha.

Ai u shpreh se, ka bashkuar votat me socialistët për reformën në drejtësi, ndërsa u shpreh se nuk mund të krahasohet bashkimi i votave për rritjen e pagave të atyre që pastrojnë sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit dhe bashkimin e votave për të liruar nga burgu të korruptuarit e Edi Ramës.

“Ky është fakt i bashkëpunimit mes Ramës dhe Berishës”, tha Basha.

Basha tha se, Sali Berisha i ka dorëzuar zgjedhjet e 2025 te Edi Rama.

Ai u shpreh se, Berisha ka mashtruar shqiptarët me lugën bosh, ndërsa theksoi se ne kemi strukturat tona në të gjithë Shqipërinë.

Basha u shpreh se, ai përfaqëson Partinë Demokratike, demokratët euroatlantikë, duke shtuar se rekursit për vulën dhe logon e PD-së do ti shkohet deri në fund.

“Sali Berisha do e çojë PD në 2025 për dhjamë qeni, do i fusë krahun demokratëve. Do e ndjekim çështjen e logos së PD-së deri në Strasburg. Ne do të jemi në 2025 një alternativë për shqiptarët, me apo pa logo. Pazari i Berishës ka nisur me bashkimin e votave për lirimin nga burgu të të korruptuarve të Edi Ramës, me prishjen e komisionit për reformën zgjedhore, vijoi me vulën, dhe objektivi kryesor i të dyve është SPAK. E kanë gati”, u shpreh Basha./ata