Qeveria në Botsvana, e udhëhequr nga Partia Demokratike (BDP), sipas rezultateve të para të zgjedhjeve, ka humbur pushtetin e saj pothuajse 6 dekadash pasi pësoi një disfatë shokuese në zgjedhje.
Sipas Komisionit të Pavarur Zgjedhor, BDP-ja e udhëhequr nga presidenti aktual 63-vjeçar Mokgweetsi Eric Masisi, partitë opozitare fituan të paktën 35 nga 61 vendet në parlament. Masisi ka shërbyer vetëm një mandat, duke marrë detyrën nga Ian Khama në vitin 2019.
Pavarësisht se ka qeverisur vendin e pasur me diamante të Afrikës Jugore që nga viti 1966, rezultatet e para tregojnë se BDP-ja deri më tani ka fituar vetëm një vend në parlament.
"Ashtu siç është e papritur, është një kohë e mirë për të pushuar. Kam punuar gjashtë deri në shtatë ditë në javë", tha presidenti Masisi në një konferencë për media duke pranuar humbjen në zgjedhje.
Partia opozitare Ombrella për Ndryshim Demokratik (UDC), e udhëhequr nga Duma Boko, fitoi 22 vende dhe Partia e Kongresit të Botsvanës (BCP), e kryesuar nga Dumelang Saleshando, siguroi tetë vende.
Fronti Patriotik i Botsvanës (BPF), i formuar nga ndjekësit e ish-presidentit Ian Khama pas daljes së tij nga BDP-ja, siguroi pesë vende.
"Deri në orën 05:04 të mëngjesit, 1 nëntor 2024, partitë opozitare kanë fituar më shumë se gjysmën e vendeve parlamentare", raportoi gazeta "Mmegi", duke theksuar se BDP-ja ka humbur zyrtarisht pushtetin shtetëror.
Sipas Kushtetutës së Botsvanës, partia që mban shumicën e vendeve parlamentare mund të zgjedhë presidentin dhe të formojë qeverinë. Me partitë opozitare që tani mbajnë më shumë se gjysmën e vendeve parlamentare, BDP-ja ka humbur zyrtarisht zgjedhjet e mbajtura të mërkurën e kaluar./aa