Benet Beci, Kryebashkiak i Shkodrës, ka hyrë në SPAK pasditen e së premtes. Ende nuk dihet se për çfarë çështje është thirrur kryebashkiaku i Shkodrës në Prokurorinë Speciale.

Beci ka qëndruar në SPAK rreth 40 minuta, ndërsa ka shmangur komentet për mediat. Sot disa nga figurat e politikës shqiptare ishin “vizitorë” të Prokurorisë Speciale.

Fillimisht në SPAK u paraqit ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai është pyetur për rreth 1 orë e 20 minuta për protestën e 21 janarit 2011, ku humbën 4 mbështetës të opozitës. Tahiri tha teksa dilte nga SPAK se në vitin 2015 ka bërë një kallëzim ndaj Lulzim Bashës për urdhra të paligjshëm gjatë demonstratës së 13 viteve më parë. Tahiri akuzon Bashën se ka urdhëruar ngritjen e një helikopteri për të hedhur lëndë të rrezikshme drejt protestuesve.

Pas Tahirit, në dyert e SPAK trokiti Luan Baçi, deputet i PD i cili është kallëzuar nga një ish-ortak i tij për fshehje pasurie. Baçi tha për mediat se çështja ndaj tij është hetuar njëherë, por i njëjti person ka bërë një kallëzim të dytë.

Kryebashkiaku i Shkodrës është i treti zyrtar i lartë që shkon në Prokurorinë e Posaçme./BalkanWeb