Vendet e Bashkimit Evropian kishin caktuar afatin e 1 nëntorit për të mbushur depozitat e gazit në 90 për qind të kapacitetit, por niveli aktual i depozitimit ka tejkaluar objektivin, duke arritur më shumë se 95 për qind, theksoi Komisioni Evropian (KE).
Sipas të dhënave të Gas Infrastructure Europe, Komisioni tha se aktualisht ka rreth 100 miliardë metra kub gaz të magazinuar brenda bllokut, që përfaqëson rreth një të tretën e konsumit vjetor të gazit të BE-së.
Gjatë krizës energjetike, vendet anëtare ranë dakord për një objektiv ligjërisht të detyrueshëm për të mbushur depozitat e tyre të gazit në 90 për qind të kapacitetit deri më 1 nëntor të çdo viti, për të garantuar siguri të mjaftueshme të furnizimit dhe stabilitet të tregut për muajt e dimrit.
Kjo rregullore ishte një ndër masat e marra nga BE-ja pas krizës energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, për të menaxhuar më mirë sistemin energjetik të Evropës.
Komisionerja Evropiane për Energjinë, Kadri Simson, tha se rezultati i fundit “e vendos Unionin në një pozicion të fortë për të mbajtur rezervat dhe çmimet të qëndrueshme këtë dimër, si dhe për të vazhduar tranzicionin larg importeve të karburanteve fosile ruse”.
Vendet e BE-së, të cilat përdorin rreth 400 miliardë metra kub gaz në vit, kanë 110 miliardë metra kub kapacitet depozitimi të gazit natyror.
Para luftës në Ukrainë, 40% e gazit të konsumuar vinte nga Rusia. Gjatë dy viteve të fundit, blloku ka reduktuar në mënyrë drastike varësinë nga Kremlini në këtë sektor./Scan