Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer disa ndryshime në ligjin ekzistues “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”. Qëllimi i këtij projektakti është përmirësimi dhe lehtësimi i procedurave ligjore për shoqëritë që ushtrojnë veprimtari minerare në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë projektligj janë vlerësuar t’i jepen zgjidhje disa prej problematikave kryesore të evidentuara. Me qëllim nxitjen dhe inkurajimin e veprimtarive të kërkim-zbulimit për shtimin e potencialit të rezervave minerare, në projekt akt është parashikuar dhënia e lejeve të kërkim-zbulimit me procedurë të hapur, për të gjitha zonat për të cilat nuk ka informacion gjeologjik si dhe ato zona për të cilat ka informacion gjeologjik.

Shoqëritë minerare të licensuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, për shkak të problematikave të ndryshme, kanë të drejtë të kërkojnë pezullim të përkohshëm të  veprimtarisë. Aktualisht ligji nuk ka të përcaktuar një afat kohor për pezullimin e veprimtarisë. Për këtë arsye në draftin e ligjit është përcaktuar e drejta për të kërkuar pezullim deri në 1 vit.

Gjithashtu, ligji minerar ka parashikuar detyrimin e shoqërive minerare që në përfundim të afatit të lejes minerare të rehabilitojnë zonën në të cilën kanë kryer veprimtarinë, por nuk ka të përcaktuar afatin se për sa kohë duhet të kryhet ky rehabilitim. Për këtë arsye në këtë projektakt u parashikua një afat deri në 18 muaj për kryerjen e rehabilitimit.

Ndërkohë, në projektakt është parashikuar se në rast se zotëruesi i lejes minerare ka braktisur zonën e lejes për 18 muaj, garancia e rehabilitimit e depozituar kalon në favor të shtetit.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit duke menaxhuar mbetjet dhe reduktuar ndotjen në projektakt është parashikuar mënyra e ruajtjes dhe dokumentimit të tyre nëpërmjet treguesve sasior dhe cilësor. Për të përmirësuar këtë shërbim në projekt akt është parashikuar që 60 përqind e të ardhurave nga gjobat për shkeljet administrative t’u shkojnë strukturave që kanë verifikuar shkeljet.

Ky projektligj nuk ka efekte financiare në buxhetin e shtetit, thuhet në projektligj të publikuar për konsultim./Scan